Dashuria online ia humbi mendjen, bashkë me to edhe 40 mijë euro

Një përshëndetje në një bisedë online ka mjaftuar për të nisur një lidhje dashuri, poashtu online, mes një të riu nga SHBA dhe një gruaje të moshës së mesme nga Shkupi. Historia e dashurisë përfundoi online, pa asnjë takim mes çiftit, por me 40 mijë euro të humbura nga ana e shkupjanes, e cila qorrazi i ka besuar “bukuroshit nga amerika” dhe kujdesit të tij. “Ai më përshëndeti i pari. Filluam të komunikojmë çdo ditë. Më pyeste a ke ngrënë mëngjesin, i thoja jo, nuk ha asnjëherë mëngjes. Ma kthente se nuk është mirë për shëndetin tim të mos ha mëngjes”, rrëfen gruaja nga Shkupi.

Pas një kohe ai ka shprehur dëshirë për të shkuar në Shkup, dhe i ka kërkuar para të dashurës nga Shkupi, e cila pa hamendje i ka dërguar 300 euro. Por, pasi ka marrë paratë, djaloshi është arsyetuar se për çështje objektive nuk mundet të niset për në Shkup. Siç raportojnë mediat maqedonase ky ka qenë kurthi i parë, pastaj kanë vijuar mashtrime tjera. Shkupjania i ka besuar në vazhdimësi, duke i dërguar të holla. Madje ka marr edhe kredi dhe kur me vonesë ka kuptuar mashtrimin nga “djaloshi amerikan” i ka ardhur turp të paraqesë rastin në polici.